Një kamion që besohet se transporton 34 000 litra kimikate u vodh në Belgjikë. Kamioni u zhduk në qytetin Zedelgem, në afërsi të portit belg të Ostend të shtunën.
Pavarësisht raporteve për një gjueti masive evropiane për kamionin, Interpoli lajmëroi mediat se nuk është përfshirë në kërkimet për automjetin në fjalë. Zyrtarë të Interpol, organizata më e madhe policore në botë me 192 anëtarë, tha se as nuk kishte dhënë ndonjë alarm për kamionin e vjedhur në Belgjikë.
Policia belge konfirmoi vjedhjen e kamionit dhe ngarkesën e tij, por gjithashtu tha se informacionet që zotëron tregojnë se substanca nuk mund të përdoret si një material shpërthyes.
Megjithatë, incidenti ka shkaktuar jo pak shqetësim, edhe për vetë faktin se ndodh menjëherë pasi Belgjika uli nivelin e kërcënimit terrorist që prej tre viteve qëndronte në shkallën më të lartë.
Autoritetet belge thanë se qendra kombëtare e krizave vendosi që të reduktonte nivelin e gatishmërisë në dy nga katër që është maksimalja. Megjithatë, autoritetet pranojnë se pavarësisht shifrës, niveli s’është i njëjtë, pasi tashmë në Belgjikë ka zënë vend një kulturë e re dhe e përforcuar sigurie.
Top Channel