Meta në Kosovë: Duhen zgjidhje të mençura për shtetin

22/01/2018 11:57

Kreu i Shtetit Ilir Meta i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës kosovare të gjejnë zgjidhje të mençura për të përafruar vendin me integrimin europiane.

Gjatë vizitës në Kosovë, Meta është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Shpresoj shumë në angazhimin e mëtejshëm edhe të Kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë Qeverisë, por edhe të opozitës për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, mund t’i sigurojmë Kosovës për mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në koordinim me Kryeministrin, me Presidentin dhe Parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, tha Presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti Meta tha se ndodhet për vizitë në Kosovë në përvjetorin e 12-të të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar kështu rëndësinë e kujtimit të vlerave të tij.

“Jam këtu për vlerësimin dhe admirimin e veçantë për presidentin Rugova në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta dhe theksoj rëndësinë e kujtimit të vlerave të tij. Mezi po presim 17 shkurtin, 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, si një mundësi për të afirmuar edhe më tej rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, – u shpreh Presidenti Meta.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj tha se qëllimi i Kosovës mbetet integrimi i saj në strukturat euroatlantike, teksa ka nënvizuar edhe pengesat e saj në këtë rrugë.

Haradinaj ka folur dhe në lidhje me paralajmërimet për një përshkallëzim të mundshëm të gjendjes së sigurisë në Kosovë, pas vrasjes së njërit prej liderëve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

“Të gjithë mekanizmat e rendit dhe të sigurisë konfirmojnë se situata e sigurisë është e qëndrueshme, e qetë. Vrasja e Ivanoviçit është marrë shumë seriozisht nga të gjitha institucionet tona dhe nuk ka paralajmërime për çfarëdo destabilizimi të Kosovës. Ju e vërejtët që edhe vizita e presidentit Vuçiç kaloi në një atmosferë korrekte, dhe besoj se porosia këtu është e qartë, se përgjegjësitë për zhvillimet në Kosovë i kanë institucionet e saj”, deklaroi z. Haradinaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA