Tërmeti me magnitude 6.2 ballë godet Kubën, lëkundjet ndjehen deri ne Florida Plot 30 vite më parë, Margaret Thatcher pretendonte se shoqëria nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët. Tri dekada më vonë, trashëgimtarja e saj, kryeministrja Theresa May kaloi në veprim.
Për të parën herë, me nismën e Mayt është caktuar një ministër për Vetminë. Krijimi i një posti të tillë synon zbutjen e izolimit social, një problem nga i cili vuajnë sot rreth 9 milionë britanikë.
Detyra i është besuar Tracey Crouch, e cila do të drejtojë një grup ndërpartiak duke respektuar rekomandimin e bërë në raportin pas vrasjes së deputetes Jo Cox në vitin 2016, nga një ekstremist i djathtë.
Komisioni mbi çështjen e vetmisë mban të njëjtin emër me atë të ligjvënëses që kishte përjetuar edhe vet periudha izolimi. “Kjo është një çështje për të cilën Jo angazhohej me shumë pasion, – u shpreh Crouch, – dhe ne do ta nderojmë kujtimin e saj duke ndihmuar miliona njerëz të prekur prej këtij fenomeni në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
Vetmia mund të prekë më shumë sesa thjesht cilësinë e jetës së një personi: studime të ndryshme kanë treguar se mundësia e një vdekjeje të parakohshme rritet te personat që jetojnë vetëm apo ndihen të vetmuar.
Një prej këtyre studimeve, i realizuar mbi 45 mijë njerëz të moshave 45 vjeç e lart, të cilët kishin pësuar apo rrezikoheshin prej sëmundjeve të zemrës, zbuloi se mundësia e vdekjes tek ata që jetonin vetëm ishte më e larte sesa tek ata që e ndanin shtëpinë me të tjerët.
Vështirësi të tilla mund të kenë edhe të rinjtë dhe anketimet e fundit tregojnë se, pikërisht përdoruesit më të etur të medieve sociale janë ata që kanë edhe nivelin më të lartë të izolimit social.
Top Channel