Rusi, Lavrov akuzon SHBA: Po destabilizojnë botën

15/01/2018 17:12

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara se po destabilizojnë botën, ndërsa prezantoi një listë ankesash ndaj politikës së jashtme të administratës “Trump”.

Konferencën e tij të përvitshme për shtyp, Lavrov e nisi me kritikat ndaj SHBA, të cilat pritet që së shpejti të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Kryediplomati rus kritikoi Shtetet e Bashkuara për kërcënimet e rregullta ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit, gjëra që sipas tij kanë destabilizuar edhe më tej situatën globale.

Lavrov nuk përmendi Donald Trumpin me emër, megjithëse ka qenë ky i fundit që ka kërcënuar Korenë komuniste dhe Iranin.

“Shtetet e Bashkuara thonë shumë qartë se përballja ushtarake është e pashmangshme, por të gjithë i dinë pasoja katastrofike të kësaj papërgjegjshmërie”, tha Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi gjithashtu Amerikën që të mos e braktisë paktin bërthamor me Iranin.

“Është e trishtë që SHBA na japin sërish arsye të dyshojmë në aftësinë e tyre për të qenë partnerë të besueshëm. Nëse sanksionet vendosen ndaj Iranit, megjithëse ai respekton paktin, çfarë duhet të mendojë Koreja e Veriut?”, tha më tej Lavrov.

I pyetur nga një gazetar i CNN-it nëse është penduar që Trump u zgjodh president, Lavrov qeshi dhe tha se diplomatët nuk pendohen për atë që ka ndodhur, por punojnë me faktet dhe bëjnë atë që duhet bërë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA