Ndodh shpesh që në gusht domatet të mbeten pa u shitur dhe stoqet hidhen nëpër kanale. Por kjo situatë është duke ndodhur edhe në këtë periudhë në fshatin Bishqethëm të Lushnjes.
Artan Salla është fermer dhe prej 25 vitesh kultivon prodhime në serra diellore. Ai ka hedhur rreth 40 kuintalë domate javën e fundit. Dëmi për një dynym llogaritet në 100 mijë lekë.
“Shpenzojmë rreth 3 milionë lekë pa dalë ende prodhimi në treg”, tregon fermeri Artan Salla.
Liri Lena tregon se shumicën e serës e ka pa vjelë, por tani po detyrohet për një javë ta shkulë prodhimin pasi domatja nuk reziston më.
“Unë do të hedh rreth 60 kuintal për serë, por unë kam 6 serra”, shprehet Liri Lena.
Si Liria dhe Artani janë shumë fermerë në zonë që kanë filluar të hedhin domatet. Dikush ka pritur që çmimi të rritet dhe dikush nxiton të shpëtojnë nga domatet e mbetura stok që ta shfrytëzojë serrën për mbjelljet e reja.
“Çmimi nuk është i favorshëm, por nuk ka as treg”, thotë Artan Salla.
Çdo vit, fermerët kërkojnë çmime më të ulëta dhe teknologji më të lartë, duke shpresuar se këto kushte do t’i shpëtojnë nga hedhja e prodhimit nëpër kanale.
Top Channel