Brexit, Farage propozon një referendum të dytë

11/01/2018 20:40

Eurodeputeti britanik, njeriu që simbolizon shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian, Nigel Farage ka sugjeruar se një referendum i dytë për çështjen “Brexit” duhet të mbahet, për t’i mbyllur gojën atyre që ankohen dhe qaraviten për largimin e Britanisë nga BE-ja.

Në një postim në Twitter, ish-udhëheqësi i partisë euroskeptike “UKIP” shkruante:

“Ndoshta-ndoshta duhet të bëjmë një referendum të dytë për anëtarësimin në BE. Ai do të varroste këtë çështje për një gjeneratë të tërë, njëherë e përgjithmonë”.

Sipas tij është e sigurtë, që njerëz si Tony Blair apo ish-zv.kryeministri Cleg i liberal-demokratëve e të tjerë nuk do të pushonin tërë jetës së ankuari për këtë çështje. Sipas politikanit kontrovers, 53-vjeçarit Nigel Farage, përqindja e atyre që do të votonin në referendumin e ardhshëm do të ishte më e madhe sesa herën e parë.

Ndërkohë, nga zyra e Kryeministrisë është deklaruar se nuk do të ketë një referendum të dytë.

Gjithsesi, ata që janë pro qëndrimit të Britanisë në BE kanë kërkuar vazhdimisht mbajtjen e një referendumi të dytë, duke argumentuar se britanikët u gënjyen dhe u keqinformuan gjatë fushatës së referendumit të kaluar, ndërkohë që po shohin përditë me sy efektet negative të procesit të “Brexit”-it.

Sipas një njoftimi, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadikh Kahn ka deklaruar se nga “Brexit, Britania do të humbasë rreth 53 miliardë stërlina deri në vitin 2030.

Ish-kryeministri Tony Blair ka kërkuar vazhdimisht mbajtjen e një refendumi të dytë, pas humbjes me rezultat mjaft të ngushtë në referendumin e qershorit të vitit 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA