Erdogan: Të ndalim Izraelin. Jeruzalemi, kryeqytet i Palestinës

13/12/2017 12:03

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u kërkoi liderëve të shteteve myslimane të njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e pushtuar të Palestinës.

Duke folur në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ai e quajti të pavlefshëm vendimin e SHBA-ve për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

I pari i Ankarasë e përkufizoi Izraelin si “shtet te terrorit”.

“Ftoj të gjitha vendet që respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e pushtuar të shtetit të Palestinës. Ata që luftojnë me miqtë e tyre harrojnë të luftojnë kundër armiqve. Nevojitet një zgjidhje diplomatike. Duhet të ndalim Izraelin, i cili po i merr Palestinës çdo ditë e më shumë tokë”, tha ai.

Ndërsa lideri palestinez, Mahmoud Abbas tha se SHBA-të e kishin përjashtuar veten nga procesi i paqes.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë rol të SHBA-ve në procesin e paqes. Vendi tregoi se është plotësisht i njëanshëm në favor të Izraelit”, u shpreh Abbas.

Statusi i Jeruzalemit është në qendër të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Qyteti strehon disa prej vendeve më të shenjta për hebrenjtë, islamikët e të krishterët.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor, që më herët ishte në duart e Jordanisë, në vitin 1967 dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqendrën e tij të pandashme. Palestinezët nga ana tjetër thonë se Jeruzalemi Lindor është kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm dhe se statusi përfundimtar i tij duhet të diskutohet në faza të mëvonshme të procesit të paqes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA