Të paktën në sport dhe përkohësisht, Rusia përkulet para presionit dhe vendos të pranojë Kosovën me simbole shtetërore.
Mbështetësja më e madhe e Serbisë që këtë muaj organizon Mastersin e Xhudos, ndoshta e kishte parashikuar një situatë të tillë. Por, falë ndikimit të Presidentit të Federatës Botërore të Xhudos, Kosova do të ketë flamurin e saj në turne.
Marius Vizer bëri të mundur që Kosova të jetë në turneun që do të zhvillohet në 16 dhe 17 dhjetor në qytetin e bukur të Shën Petersburgut, diçka e konfirmuar dhe nga trajneri Driton Kuka.
“Faleminderim i madh të gjithë atyre që mundësuan të jemi të barabartë me shtetet e tjera! Me sport po thyhen barrierat. Në mungesë të kampiones olimpike, e cila nuk mund të marrë pjesë në Mastersin në Rusi, do na përfaqësojnë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi”, tha Kuka.
Në turneun në Rusi do të mungojë kampionia Majlinda Kelmendi, por Kosova shpreson që të marrë medalje me dy sportistet e tjera elitare.
Top Channel