Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen për dy ditë, më 27 dhe 28 nëntor në mbledhjen e katërt të përbashkët që do të mbahet ne Korçë dhe Vlorë.
Në Vlorë, të martën më datë 28 nëntor do të nënshkruhen 12 marrëveshje bashkëpunimi. Ministrat e kabinetit Rama dhe Haradinaj do të firmosin një memorandum bashkëpunimi mes ministrive të mjedisit për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, një tjetër memorandum për bashkëpunimin në fushën e kulturës, marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunimin për diasporën dhe një protokoll teknik mes dy ministrive të bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare për produktet shtazore mes dy vendeve.
Gjithashtu do të nënshkruhen një memorandum mirëkuptimi mes agjencisë AIDA dhe homologes kosovare KIESA, për nxitjen e investimeve, një memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë elektrike mes dy ministrive të energjetikës, marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të jashtme në kuadër të integrimit europian.
Në Vlorë, dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të marrin pjesë edhe në festimet e 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Top Channel