Marina e Argjentinës tha se, një incident i ngjashëm me një shpërthim u regjistrua pranë vendit ku një nëndetëse e saj u zhduk javën e shkuar, me 44 marinarë në bord.
Një zëdhënës i Marinës deklaroi se një ngjarje jonormale, unike, e shkurtër, e dhunshme dhe jobërthamore ishte diktuar në Atlantikun jugor.
Nëndetësja “ARA San Juan” u zhduk të mërkurën e shkuar dhe, ndërsa shqetësimi për ekuipazhin kishte arritur kulmin pasi rezerva e ajrit në nëndetëse thuajse duhet të ketë mbaruar, Marina sugjeron se një shpërthim mund të ketë shënuar fatin e saj.
Më shumë se 10 shtete, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në operacionet e kërkimit. Zëdhënësi i Marinës argjentinase, kapiteni Enrique Balbi tha se Marina ishte informuar për shpërthimin e dyshuar, që u diktua pranë vendndodhjes së fundi të njohur të nëndetëses.
Balbi shtoi se Marina di vetëm vendin ku u regjistrua zhurma, që dyshohet të jetë shpërthim, por jo shkakun e saj. Për këtë arsye, Marina do t’i përqëndrojë kërkimet e saj në këtë zonë.
Raportohet se zhurma e fuqishme u diktua që ditën e zhdukjes së nëndetëses dhe vetëm së fundmi, autoritetet besojnë se ajo mund të ketë lidhje me fatin e mjetit lundrues. Ndërkohë, familjarët e marinarëve të nëndetëses, që presin me ankth lajme për të afërmit e tyre, u shprehën të zhgënjyer nga Marina, që sipas tyre nuk është treguar e sinqertë me ta, madje edhe lajmin e zhdukjes së nëndetëses e vonoi në ditët e para.
Top Channel