Në zgjedhjet vendore të 26 nëntorit për komunën e Tuzit, në Malin e Zi, partitë politike shqiptare nuk arritën të dalin të bashkuar.
Përkundrazi, ata u rreshtuan në tre lista zgjedhore, thotë “Zëri i Amerikës”, çka sipas analistëve mund të ndikojë dukshëm në copëtimin e elektoratit shqiptar.
Njëri prej tyre, Tonin Ujkaj i tha VOA-së se përçarjet në zonën e Tuzit mbeten të mëdha e pasojat mund të mos i ndjejë vetëm kjo komunë. Fenomeni, sipas tij, rrezikon të dobësojë faktorin politik shqiptar në tërësi.
“Unë mendoj se përsa kohë politikanët shqiptarë do të jenë të përcarë dhe pa vullnet për të qenë të unifikuar, zëri i shqiptarëve nuk do të dëgjohet dhe kërkesat e interesat tona do të bien në vesh të shurdhët”, deklaroi Ujkaj.
Arsyet e këtyre ndasive në këndvështrimin e njohësve të çështjeve politike vendase lidhen me interesat personale dhe konfliktet partiake që nuk ua lejojnë krijimin e një fronti të unifikuar në zgjedhje, duke sjellë për rrjedhojë rënien e votave të elektoratit shqiptar.
E vetmja mënyrë që shqiptarët të jenë faktorë, nga sa pohojnë ekspertët, është të lënë mënjanë interesin personal përballë atij publik, çka rezulton mjaft e vështirë.
Me zgjedhjet e 26 nëntorit, Tuzi bëhet njësia e dytë administrative në Mal të Zi me shumicë shqiptare, pas komunës së Ulqinit.
Top Channel