Tërheqja e Rossit nga MotoGP: Vendos vitin e ardhshëm

07/11/2017 12:14

Në muajin shkurt, Valentino Rossi do të mbushë 39 vjeç dhe kontrata e tij me Yamahën skadon në fund të sezonit 2018 të Botërorit të MotoGP-së.

Por, 9 herë kampioni i botës ende nuk ka vendosur një kufi për karrierën e tij, me italianin që është në ndjekje të titullit të tij të 10 botëror. Në një intervistë të dhënë për “Sky Sports 24”, Rossi deklaroi se vitin e ardhshëm do të marrë një vendim për të ardhmen.

“Do të vendos për atë që do të bëj në vitin 2018, pasi të kem parë nëse pas disa garave do të jem konkurrues apo jo. Por mua do të më pëlqente që të vazhdoja të garoja”, tha Valentino Rossi.

Në Valencia do të zhvillohet gara e fundit e Botërorit të MotoGP, ku në garë janë Marc Marquez dhe Andrea Dovizioso, me spanjollin që ka një avantazh prej 21 pikësh ndaj italianit. Rossi deklaroi se, për pilotin e Ducatit, rrëmbimi i titullit kundrejt Marquez do të jetë një mision i vështirë.

“Dovizioso ka një detyrë të vështirë, – tha Rossi. – Por zakonisht, kur ka një shpresë, qoftë kjo edhe minimale, nëse beson te suksesi e bën një përpjekje. Dovizioso ka bërë gjëra të pabesueshmme. Titulli do të vendoset në garën e fundit dhe do të ketë tensione. Shpresojmë që të jemi atje me ta”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA