Kapacitetet e ekonomisë, BSH: Industria, mbi mesataren historike

22/10/2017 15:17

Përveç industrisë, sektorët e tjerë të ekonomisë shqiptare, si shërbimet, tregtia dhe ndërtimi, janë nën nivelin historit të shtfrytëzimit të kapaciteve.

Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, i cili merr në analizë këta sektorë për tremujorin e tretë të vitit, industria ka një nivel shfrytëzimi të kapaciteve prej 74%, 1.7 pikë përqindjeje mbi mesataren historike të saj.

Ndërsa për fushën e shërbimeve, kjo normë rezultoi në rreth 73%, me rritje në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo normë mbetet 3.4 pikë përqindjeje nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve.

Ndërtimi ka pasur përmirësime të ndjeshme të shfrytëzimit të kapaciteve në vitet e fundit, duke shënuar 62.9%, 1.2 pikë përqindjeje nën mesataren historike të saj.

Me rënie shfrytëzimi të kapaciteteve është tregtia. Norma qëndroi rreth vlerës 69.7%, me rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por hendeku me nivelin historik është 7.3 pikë përqindjeje.

Banka e Shqipërisë ka nënvizuar shpeshherë në deklaratat e saj se, ekonomia jonë ka potenciale që nuk po shfrytëzohen plotësisht, dhe aktivizimi i tyre do të nxiste një rritje më të madhe të Produktit të Brendshëm Bruto.

Vrojtimi i bankës qendore është bërë duke marrë në pyetje kampionë biznesi, sipas një metodologjie të Komisionit Europian, i cili është edhe bashkëfinancues në Shqipëri i këtyre studimeve.

Top Channel