Prokuroria ka kërkuar ndalimin e Saimir Tahirit dhe kërkesa e saj drejtuar Këshillit të Imunitetit në Kuvend do të shqyrtohet ditën e premte.
Kryeministri Rama nuk ka komentuar ende në publik këto zhvillime, por përmes rrjeteve sociale ka reaguar tri herë vetëm të enjten.
Kërkesa e Prokurorisë dhe akuzat ndaj Saimir Tahirit u diskutuan këtë të enjte në Top Story me të ftuar deputetët Ervin Salianji nga PD, Ulsi Manja nga PS dhe analistët Agron Gjekmarkaj dhe Shpëtim Nazarko.
Për Ervin Salianjin nuk ka asnjë dyshim; Saimir Tahiri është fajtor dhe sipas tij, ka mundësinë që të bëhet i penduar i drejtësisë.
Deputeti i PD-së thotë se shtyrja e mbledhjes cenon provat.
“Shtyrja e mbledhjes prish befasinë e këtij hetimi dhe mund të ndikojë tek provat, sepse Prokuroria kërkon kontrollin e banesës, të telefonave dhe të sendeve personale”, deklaroi Salianji.
Ulsi Manja nga PS thotë se gjithçka është bërë brenda rregullores së Kuvendit dhe se mbledhja për të premten është bërë, që anëtarët e Këshillit të Imunitetit të njihen me dosjen e Prokurorisë para se të vendosin.
“Kur kauzat e drejtësisë vishen me retorikë politike dhe fjalë boshe, e dëmtuar del drejtësia. Janë procedurat dhe nesër në 11:00 kryetari ka thërritur Këshillin konform rregullores së Kuvendit. Nuk do të shkojmë në Këshill pa lexuar atë se çfarë na kanë nisur dhe të ngremë dorën se ashtu do opozita, apo Salianji”, u shpreh ai.
Top Channel