Peleshi: Ekonomia e fshatit do të asistohet

18/10/2017 12:41

Sektori prodhues, agro-përpunues dhe ekonomitë e tjera në fshat do të asistohen në fillim të vitit 2018 me fondet e qeverisë, IPARD dhe Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, siguroi se këto sektorë do të kenë vëmendje: “Do të çojmë fondet e buxhetit të shtetit, fondet e IPARD-it, të Bashkimit Evropian, që presim të hapen vitin tjetër, në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhuesit, agro-përpunuesit, por dhe ekonomitë e tjera jo bujqësore të fshatrave, ajo që e quajmë ndryshe edhe pjesë të zhvillimit tonë rural. Do të mbështesin gjithë zinxhirin e vlerës, në mënyrë që subvencionet apo mbështjetja finaciare, apo fondet e garancisë përmes kreditimit të butë, të alokohen me zgjuarsi që të japin sa më shumë produkt”.

Peleshi shfrytëzoi vizitën në një biznes përpunimi në Vlorë për të siguruar se çdo biznes që do të përpiqet të rrisë standardet, me qëllim rritjen e prodhimit dhe eksportit, do të ketë mbështetje.

“Jam këtu me 4 zëvendësministrat dhe me ekipin që më shoqëron, pjesë e gjithë programit dhe qeverisë në Qarkun e Vlorës. Nuk kemi ne ndonjë meritë shumë të madhe për këtë që ka ndodhur sot këtu dhe kështu që nuk jam për të marrë meritat e një investimi të tillë, përveçse të angazhohem që çdo gjë që këtij biznesi, apo biznesit në përgjithësi të përpunimit, do t’i duhet për të rritur standartin, për të rritur prodhimin, për të eksportuar më tepër, që do të thotë për të sjellë më shumë të ardhura në ekonominë tonë, ne do të jemi të gatshëm ta bëjmë”, theksoi Peleshi.

Top Channel