Krijohet fondi për bankat, në rast krize

18/10/2017 09:32

Banka e Shqipërisë miratoi vendimin që i hap rrugë ngritjes së një fondi të posaçëm garancie, i cili do të përdoret për të mbuluar humbjet e bankave në rast krizash. Paratë e fondit do të paguhen nga vet bankat.

“Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme duhet të plotësohet brenda vitit 2027, përkatësisht më 11 korrik, nga kontributi vjetor që duhet të derdhë sektori bankar”, tha Vasilika Kote, Departamenti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Gjatë krizës së vitit 2008, shumë qeveri të vendeve europiane u detyruan të shpenzonin taksat e qytetarëve për të shpëtuar bankat. Që kjo të mos përsëritet, Bashkimi Europian ka urdhëruar vendet anëtare dhe ato kandidate të ngrenë fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

“Pra, për moskalimin e kostove të menaxhimit të krizave te taksapaguesit, Bashkimi Europian hartoi atë që njihet si direktiva për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Në këtë drejtim, edhe Banka e Shqipërisë ka transpozuar këtë direktivë europiane për të menaxhuar krizat, të cilat mund të kenë ndikim në stabilitetin financiar, përmes minimizimit të kostove në terma të fondeve publike”, tha më tej Vasilika Kote.

Madhësia e fondit varet nga treguesit e sistemit bankar. Por, sipas llogarive paraprake, ai do të jetë mbi 60 milionë dollarë. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi ynë bankar është i mirëkapitalizuar. Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme është një masë mbrojtëse shtesë, për krizat që mund të godasin në të ardhmen.

Top Channel