OSHEE, Çela: Nuk rritet çmimi i energjisë

17/10/2017 03:48

Për vitin e ardhshëm OSHEE nuk do të kërkojë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët. Administratori i Përgjithshëm Adrian Çela tha se po përgatitet aplikimi që bëhet në Entin Rregullator të Energjisë.

“Ne kemi nisur procedurën dhe jemi duke bërë llogaritë. Qetëesohuni nuk do të ketë rritje tarife. Nëse ka ulje apo jo, kur të bëjmë aplikimin do jua bëjmë me dije. Sepse kollaj është të thuash ulje, po duhen bërë investime, duhen shlyer borxhet, duhet mbajtur rrjeti, që ka dhe një kosto kjo”, tha Çela.

Ndërkohë OSHEE shpalli konkursin për drejtuesit e 11 drejtorive rajonale në vend. Kjo sipas Çelës është pjesë e strategjisë së kompanisë.

OSHEE po shkon drejt ndarjes në dy pjesë, shpërndarja më vete dhe shitja më vete. Punonjësit do të testohen për përcaktimin e funksioneve.

“Tani shkojmë drejt ndarjes së proceseve, nuk ka më që një njeri të bëjë teknikun e prerjeve, të bëjë ndjekjen e debitorëve, riparimin e difekteve etj. Për këtë arsye është një nevojë e domosdoshme rinovimi profesional i stafit të kompanisë”, tha ai.

Top Channel