Ministri i Financave dhe Ekonomisë premton se përfshirja e biznesit të vogël në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nuk do të sjellë asnjë rritje në koston e jetesës së qytetarëve.
Një ditë pas shefit te tij në qeveri, edhe Arben Ahmetaj thotë se me këtë masë qeveria i jep fund një padrejtësie që sipas tij, u bëhet sot qytetarëve nga bizneset të cilat fshehin taksat.
“Ka atje në terrenin fiskal shumë sipërmarrje që pretendojnë se janë nën pesë milionë lekë, por në fakt janë dy-tre herë më shumë se 5 milionë. Kjo është pabarazi, deformim, dëm ndaj qytetarëve i drejtëpërdrejtë”, deklaroi ai.
Kreu i financave paralajmëroi bizneset jo korrekte të ndryshojnë sjelljen, ndërkohë që siguroi biznesin e ndershëm se kostot administrative do të jenë minimale.
“Biznesi i vogël do të bëjë deklarim të thjeshtuar të TVSH-së. Pra nuk do e deklarojnë TVSH-në një herë në muaj, por një herë në tre muaj. Nga ana tjetër Ministria e Financave në draftin që po përgatit ka vendosur të përjashtojë nga TVSH, të gjithë bizneset e zejtarisë dhe tregjet e bashkisë”, u shpreh ministri i Financave.
Qeveria ka nisur një aksion të gjerë kundër informaliteti, i cili sipas kreut të financave po jep efektet e parë duke rritur me 23 për qind xhiron e deklaruar të biznesit.
“Rritja e xhiros e krahasur me të njëjtën periudhë, 1-8 tetor me 2016 është 23 për qind, rritja e kuponave për të njëjtën periudhë është 33 përqind”, tha ministri.
Top Channel