Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi kryesinë e saj vetëm 5 ditë përpara nisjes së punimeve të Parlamentit të ri.
Monika Krymadhi edhe një herë nënvizoi se LSI-ja doli më e fortë pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe është e gatshme për tu përballur me qeverinë në Parlament.
“Sot, LSI-ja është më e fortë se asnjëherë më parë. Kaloi me sukses një provë të jashtëzakonshme të 25 qershorit, ku u targetua në mënyrë jodemokratike dhe kriminale për t’i dhënë një pushtet të plotë dhe të pakontrolluar oligarkisë dhe malavitës, deri në kapjen në çdo qelizë të institucioneve të shtetit. Edhe pse konkurroi e vetme, LSI tregoi qëndrueshmëri, rritje dhe vitalitet. Kemi grup parlamentar më të madh në numër, më cilësor e më të ri. Mazhoranca është pakica, që del nga një palë zgjedhje që janë më të deformuarat që nga viti 1996”, tha Kryemadhi.
Në përfundim të mbledhjes, nënkryetari i LSI-së Luan Rama bëri të ditur dhe emrat e dy nënkryetarëve të grupit parlamentar të LSI-së, të cilët do të jenë Klajda Gjosha dhe Përparim Spahiu. Ndërsa u shpreh i rezervuar në komentet për përbërjen e qeverisë së re.
“Do të përballemi me programin, përbërjen dhe gjithçka tjetër kur të vijë momenti”, tha Luan Rama.
Top Channel