
Zjarri gjigant që përfshiu një bllok apartamentesh në “Latimer Road”, në perëndim të Londrës, shkaktoi vdekjen e 6 personave, e policia pret që numri i tyre të rritet edhe më shumë.
Kulla “Grenfell” raportohet të jetë përfshirë nga flakët orët e para të mëngjesit. Rreth 200 zjarrfikës mbërriten me urgjencë në zonë, ku u përballën me një skenar ferri. “Kam 29 vite punë, – thotë drejtuesja e Qendrës së Zjarrfikësve londinezë, Dany Cotton, – por nuk kam parë kurrë zjarr të tillë”.
Zjarri, sipas saj ka nisur nga kati i dytë, por shkaqet nuk dihen ende me saktësi. Mediet vendase thonë se shkëndijat, që do të ktheheshin në arsyen e fatkeqësisë, kanë nisur nga një frigorifer me probleme, por pretendime të tilla nuk janë konfirmuar.
Zjarrfikësit kanë mundur të shpëtojnë një numër të madh njerëzish, – thotë BBC, – por sipas kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, ka ende shumë persona që rezultojnë të zhdukur, mes tyre edhe fëmijë.
Qindra vetë besohet të kenë qenë brenda kullës 27-katëshe kur nisi zjarri. Të paktën 70 persona janë dërguar në spital, 20 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Katastrofa goditi gjatë natës, kur banorët ishin në gjumë. Shumë prej tyre janë zgjuar nga klithmat e të tjerëve, apo nga tymi dhe era e plastikës së djegur. Dëshmitarë okularë rrëfyen më herët sesi njerëzit e bllokuar thërrisnin për ndihmë, e kërkonin që dikush t’u shpëtonte fëmijët. Një prej banorëve të kullës “Grenfell” tregoi për BBC-në momentet e tmerrit.
“Ndodhi diku nga ora një e mëngjesit. U zgjova nga gjumi se ndieva një erë plastike që digjej. Kontrollova dhomat po nuk pashë gjë dhe hapa dritaren që të hynte ajër i pastër, por aty pashë se çfarë po ndodhte. Ishte si film horror”, tha Mickey.
Kulla i ishte nënshtruar për dy vite punimeve restauruese, që përfunduan vitin e kaluar, por një grup aktivistësh lokalë ka pretenduar që në vitin 2013 se blloku ishte i rrezikuar nga zjarret.
Top Channel