ISIS, sulme në Iran. Kamikazja u hodh në erë te varri i ajatollahut

07/06/2017 00:00

Persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj ndërtesës së Parlamentit iranian dhe varrit të Ajatollahut Khomeini, duke shkaktuar të paktën 12 të vdekur e mjaft të plagosur, në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik.

Terrori prek kështu edhe zemrën e kryeqytetit të Republikës Islamike, ku episode të tilla janë të pazakonta. Shkëmbime të ashpra zjarri thyen qetësinë e Teheranit, e regjistrimet audio tregojnë se të shtëna janë regjistruar edhe brenda sallës së Parlamentit, ku një roje sigurie raportohet të jetë vrarë në vend, e pati edhe një episod pengmarrjeje.

Një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën te varri i ngritur në nder të themeluesit të Republikës moderne Islamike iraniane. Zyrtarët iranianë thonë se kanë arritur të shmangin edhe një sulm të tretë. Shteti Islamik postoi edhe një video, të realizuar – sipas tij, – brenda godinës së mësyrë të Parlamentit. Ngjarja përbën të parën herë, që ISIS-i godet regjimin e ajatollahëve.

Mediet iraniane shkruajnë se të 4 personat që sulmuan Parlamentin janë vrarë nga forcat e rendit. Ata kishin hyrë përmes portës kryesore të veshur si femra, ndërsa poshtë rrobave kishin automatikë kallashnikov.

Një kamikaz, nga ana tjetër, hodhi veten përpara një banke pranë mauzoleumit. Sulmi mbi varrin e Khomeinit, të ndodhur disa kilometra më në jug, erdhi në të njëjtën kohë, gjë që dëshmon se goditjet kanë qenë të koordinuara.

Nuk dihet me siguri nëse raporti i autoriteteve për 12 të vdekur përfshin edhe vet sulmuesit. Sipas disa të dhënave, të paktën njëri prej agresorëve mund të ketë qenë grua. Ky është incidenti më serioz me sfond terrorist në Iran, që prej viteve të para të trazuara pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Edhe pse Irani me shumicë shiite ka qenë aktiv në betejën kundër Shtetit Islamik në Irak e Siri, grupi sunit nuk kishte ndërmarrë deri më tani asnjë sulm brenda territorit iranian, ku nuk gëzon ndonjë mbështetje të madhe.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel