Çfarë dihet mbi terroristin e Manchesterit, Salman Abedi

24/05/2017 00:00

Terroristi që vrau 22 persona, gati të gjithë adoleshentë e fëmijë, duke hedhur veten në erë pas koncertit të Ariana Grande në Manchester, sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Libi.

Kështu thotë një shok i tij për gazetën “Times”. 22-vjeçari Salman Abedi, i lindur në Britaninë e Madhe nga prindër që ishin arratisur prej regjimit të Muammar Gaddafi, mund të ketë përgatitur sulmin nën direktivat xhihadiste.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse atentatori i Manchesterit është trajnuar në ndonjë kamp xhihadist në Libi, ku ISIS dhe al-Qaeda kanë lidhur aleancë për të luftuar forcat qeveritare.

Fqinjët e përshkruajnë terroristin Abedi si një tip të çuditshëm, vetmitar e që nuk dukej shumë në publik, përveç kohëve të fundit kur shfaqej shpesh me miqtë e kthehej vonë në shtëpi.

Prej disa vitesh ishte nën vëzhgimin e policisë dhe studionte për ekonomi në Universitetin e Salfordit. Shefi i policisë së Manchesterit, Ian Hopkins ka lënë të kuptohet se po i beson gjithnjë e më pak teorisë së “ujkut vetmitar”, duke u orientuar drejt hipotezës së një grupi të organizuar nga ISIS, ekspertët e të cilit mund të kenë përgatitur eksplozivët.

Fëmija i parafundit i një çifti refugjatësh nga Libia, Salman kishte siguruar shtetësinë angleze menjëherë pas lindjes. Në fakt, libianët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të komunitetit mysliman të Manchesterit.

Sipas “Telegraph”, prindërit e 22-vjeçarit kanë jetuar në Londër për rreth 10 vite, para se të zhvendoseshin në Manchester, ku jetesa është më e lirë sesa në kryeqytet. Atje sollën në jetë 3 djem dhe një vajzë. Siç duket, prej disa vitesh janë rikthyer në Tripoli, duke lënë në Manchester Salmanin dhe vëllain e tij 23-vjeçar, Ismail. Disa fqinjë rrëfejnë për mediet britanike se i kanë parë dy vëllezërit teksa këndonin himnet e Islamit radikal.

Top Channel