Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi pak ditë më parë në mbështetje të një rezolute të paraqitur nga disa vende afrikane, e cila synonte miratimin e një harte që e paraqet kontinentin në përmasa më të mëdha nga sa shfaqet në harta konvencionale të botës.

Rezoluta, që pretendon të ofrojë një “paraqitje më të saktë” të masave tokësore të kontinenteve të globit, u përkrah  nga 164 vende, ndërsa Shtetet e Bashkuara votuan kundër dhe gjashtë shtete të tjera abstenuan. Harta e re-e njohur si projeksioni hartografik Equal Earth-“është një alternativë e përshtatshme për përmirësimin e saktësisë së paraqitjes hartografike të botës”, thuhet në rezolutë.

Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, tha se kjo  rikonfirmon realitetin afrikan. Por, si ndryshon harta e re nga versioni tradicional dhe përse SHBA-ja kundërshtoi? OKB-ja u ka beri thirrje shteteve anëtare të miratojnë një hartë të re në vend të projeksionit tradicional Mercator, i përdorur prej shekujsh dhe qe u hartua për lundrimin detar nga hartografi flamand Gerardus Mercator në vitin 1569.

Ky projeksion i kushtonte rëndësi paraqitjes së saktë të formave dhe këndeve të masave tokësore, por madhësitë e tyre relative shpesh paraqiteshin në mënyrë jo të saktë- pjesërisht për shkak të vështirësisë së paraqitjes së një globi tredimensional në një sipërfaqe dydimensionale. Ai i zmadhoi rajonet veriore dhe i ngjeshi ato pranë Ekuatorit, duke bërë që Europa dhe Amerika e Veriut të dukeshin shumë më të mëdha, ndërsa Afrika dhe Amerika e Jugut të dukeshin më të vogla.

Ndryshimi i hartave, padyshim, nuk e ndryshon botën”, tha tha ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot. “Megjithatë korrigjimi i një paraqitjeje të shtrembëruar është tashmë një akt i së vërtetës”, shtoi ai. Rezoluta nuk është detyruese, por synon të nxisë ndryshime në hartat që përdoren si standard në mbarë botën.

Top Channel