Nikaragua padit Gjermaninë në Hagë, përplasja për armët e dërguara Izraelit

07/09/2026 10:54

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë pritet të shqyrtojë sot çështjen e eksporteve të armëve nga Gjermania drejt Izraelit, pas procedurave të nisura nga Nikaragua, e cila akuzon Berlinin për ndihmë dhe nxitje të gjenocidit ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Nikaragua argumenton se eksportet gjermane të armëve shkelin Konventën për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit, duke pretenduar se armët e furnizuara nga Gjermania janë përdorur nga forcat e armatosura izraelite gjatë luftës në Gaza.

Qeveria gjermane i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Berlini këmbëngul gjithashtu se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion për të shqyrtuar këtë çështje.

Izraeli nuk është palë në procedurat gjyqësore.

Kjo nuk është hera e parë që Gjermania përballet me një çështje të tillë para GJND-së. Në vitin 2024, Gjermania fitoi raundin e parë të shqyrtimit, kur gjykata hodhi poshtë kërkesën urgjente të Nikaraguas për t’i kërkuar Berlinit ndalimin e menjëhershëm të eksporteve të armëve drejt Izraelit.

Megjithatë, gjyqtarët nuk pranuan kërkesën e Gjermanisë për rrëzimin e plotë të çështjes, duke lejuar vijimin e procedurave.

Në seancën e sotme, përfaqësuesit ligjorë të Gjermanisë pritet të kërkojnë që çështja të mos përparojë më tej, duke argumentuar se GJND-ja nuk ka juridiksion. Nga ana tjetër, Nikaragua pritet ta kundërshtojë këtë argument.

Ende nuk dihet se kur do të shpallin vendimin gjyqtarët e gjykatës së OKB-së.

Çështja kundër Gjermanisë është rasti i dytë i lidhur me akuzat për gjenocid në Rripin e Gazës që po shqyrtohet nga GJND-ja. Në fund të vitit 2023, Afrika e Jugut nisi procedurat kundër Izraelit, ndërsa më vonë në këtë proces u bashkuan edhe shtete të tjera.

Top Channel