Vështirë të mendohet se më shumë se 250 vite më parë shqiptarët e kishin kaq të zhvilluar industrinë e punimit të arit e argjendit.

Mendohet se pranë manastirëve kanë jetuar argjendarë, të cilët ishin mjeshtra në realizimin e objekteve për kishat. 19 nga këto objekte kulti të paekspozuara më parë të cilat datojnë nga viti 1750-1900, prezantohen të restauruara për publikun. Për profesor Frederik Stamatin, i cili ka mbikëqyrur procesin e restaurimit te kryer nga punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar këto objekte janë vepra arti po aq sa edhe objekte kulti.

“Personalisht nuk i shikoj fare nga ana e përkatësisë si objekte kulti, por i shikoj si një realizim të mjeshtrave shqiptare të punimit të argjendit. Nëse do t’i referohemi studimeve që kanë bërë etnografët do të thoshim se kanë pas ekzistuar argjendarë, të cilët ishin mjeshtra dhe realizonin objekte për kishat”, shprehet Frederik Stamati, restaurator.

Për një periudhë kohë, gjatë diktaturës, kryqet, ikonat, lipsanet e të tjera objekte janë ruajtur në Institutin e Monumenteve për t’iu rikthyer Muzeut Historik Kombëtar.

“Gjëja që është më domethënëse tek ato është që punimi është shumë i bukur, mjaft i imët dhe shkrimet që kanë tregojnë edhe për përmbajtjen dhe personat që kanë punuar për t’i realizuar këto vepra”, thotë Stamati.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë, tha në çeljen e saj Drejtori i Muzeut, pasi jo vetëm plotëson një raft të munguar në hapësirën e Muzeut, por edhe sepse me hapjen e sezonit turistik, turistët e huaj kanë mundësinë të shohin një pjesë të Shqipërisë tjetër, të paekspozuar më parë.

Top Channel