“Pika e kthesës po afron”/ Më shumë se 4 vite luftë, gjenerali ukrainas: Rusia është lodhur, brenda gjashtë muajve do përparojmë…

27/05/2026 13:18

Brenda gjashtë muajve të ardhshëm, Ukraina mund të rifitojë iniciativën në frontin lindor dhe të forcojë pozitat e saj përpara bisedimeve të mundshme të paqes me Rusinë.

Kështu vlerësoi për agjencinë Reuters gjenerali i brigadës Andriy Biletsky, komandant i Korpusit të Tretë të Ushtrisë së Ukrainës.

Sipas tij, ushtria ruse po përballet me lodhje të madhe pas më shumë se katër vitesh lufte, ndërsa përparimi i saj në territorin ukrainas është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti.

“Pika e kthesës po afron. Nëse forcat ukrainase ruajnë vrullin edhe për disa muaj, ato mund të marrin iniciativën përgjatë frontit dhe ta detyrojnë Rusinë të heqë dorë nga planet për pushtimin e pjesës së mbetur të rajonit të Donetskut”, deklaroi Biletsky.

Ai theksoi se Rusia po has vështirësi shtesë edhe pas vendimit të Elon Musk për të mos u ofruar forcave ruse qasje në sistemin satelitor Starlink.

Nga ana tjetër, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se Ukraina ka rimarrë rreth 600 kilometra katrorë territor gjatë vitit 2026, ndërsa Rusia vazhdon të kontrollojë afro 20% të territorit ukrainas.

Sipas analistëve ushtarakë, forcat ukrainase po rrisin presionin në fushën e betejës përmes përdorimit të dronëve me rreze të mesme veprimi, të cilët po dobësojnë mbrojtjen ajrore ruse dhe po lehtësojnë goditjet ndaj objekteve ushtarake dhe depove të karburantit.

Luftimet më të ashpra mbeten të përqendruara në rajonin lindor të Donetskut, veçanërisht rreth qytetit strategjik Kostiantynivka, që konsiderohet pjesë kyçe e vijës mbrojtëse ukrainase.

Sipas tij, Korpusi i Tretë i Ushtrisë po integron gjithnjë e më shumë robotikën dhe sistemet pa pilot në operacionet ushtarake, me synimin që deri në vitin 2027 rreth 30% e operacioneve të këmbësorisë të zëvendësohen nga mjete autonome.

“Kjo do të ndodhë këtë vit dhe korpusi ynë është një shembull i qartë i kësaj strategjie”, u shpreh Biletsky.

 

Top Channel