“Bota e filmit për mua është një mënyrë për të treguar veten dhe për të dhënë një mesazh. Mendoj se në Shqipëri ka nevojë për kineastë të rinj, jo vetëm për regjisorë, por edhe skenaristë”, tha studentja Sara Zeneli.
Sara Zeneli është një nga 25 studentët që janë bërë pjesë e Punëtorive Krijuese për Profesionet e Reja në Kinematografi, një projekt i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe mbështetur nga Fakulteti i Artit Skenik që synon formimin praktik dhe teorik të studentëve dhe profesionistëve të rinj në fushën e filmit.
Florjan Brahimin thotë se ky trajnim po e ndihmon drejt konceptimit të punimit me të cilin do të përmbyllë masterin në Universitetin e Arteve.
“Ka një qasje interesante ndaj mënyrës së kompozimit të rregullave për të ndërtuar një ide për një film të shkurtër. Dua të bëj një film për braktisjen e fëmijës, çfarë ky fëmijë detyrohet të kalojë për të bërë një jetë normale. Jam frymëzuar nga aktualiteti”, tha studenti Florjan Brahimi.
Qëllimi i nismës është pajisja e brezi të ri me aftësitë e nevojshme teknike dhe krijuese për të qenë konkurrues në tregun vendas dhe në prodhime ndërkombëtare.
“Ky si koncept ka lindur nga një grup profesionistësh, të cilët kanë ndjerë një mungesë për staf të kualifikuar. Ka një lloj shkëputjeje ose orientimi të gabuar të studentëve që nga bankat të punojnë në industri”, tha regjisori Benart Laze.
Studentët tregojnë për vështirësitë e tyre për të dalë në tregun e punës, nga ana tjetër profesionistët flasin për vështirësi për të gjetur të rinj të talentuar, por çfarë e shkakton këtë ngërç në komunikim?
“Shkollat tona nuk kanë shumë opsione degësh. Unë si producent për shembull, nuk mund të marr një student ta fus në një set ku dita kushton 25 mijë euro. Ka përgjegjësi, sepse ke 40-50 veta që presin. Nuk mund të gabosh. Studentët duhet të bëjnë kualifikim”, tha regjisori Benart Laze.
Pjesë e projektit janë katër laboratorë ku mentorë shqiptarë dhe të huaj do të japin mësime për ndërtimin e një filmi të shkurtër, teknikat e kamerës, ndriçimit, zërit si dhe postproduksionin. Nisma finalizohet në 12 qershor, ku pesë punime nga studentët do të prezantohen para profesionistëve të industrisë së filmit, me qëllim realizimin e ideve të të rinjve.
Top Channel