Ramos nderon sërish Realin, e rikthen në krye

12/03/2017 00:00

Sa herë që sulmi i Real Madrid vuan për të gjetur golin, Sergio Ramos tregohet i gatshëm t’i vijë në ndihmë. 

Mbrojtësi shënoi sërish me mënyrën e tij të preferuar, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit, ku si gjithmonë Ramos kërcen më shumë se të gjithë. 

Me këtë fitore ekipi i Zidane rikthehet sërish në krye të renditjes së kampionatit spanjoll, duke lënë pas Barcelonën, e cila “ra” sot në La Coruna. 

Fitorja me Betisin rezultoi të ishte mjaft e vuajtur për madrilenët, të cilët e panë veten në disavantazh që në minutën e 25-të, por Ronaldo shënoi në minutën e 41-të dhe barazoi rezultatin.

Në pjesën e dytë futbollistët e Real dominuan, por rrugën e rrjetës e gjetën vetëm në minutën e 80-të me anë të mbrojtësit Sergio Ramos. 

Real Madrid kryeson kampionatin spanjoll me dy pikë më tepër se Barcelona e vendit të dytë, ndërkohë që madrilenët kanë edhe 1 ndeshje më tepër për të luajtur

 

Top Channel