Një kthesë e papritur dhe shokuese ka ndodhur në procesin gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës, i cili po zhvillohet në San Isidro të Argjentinës.

Seancat dëgjimore janë pezulluar pas një skandali me provat, pasi mbrojtja ka hedhur dyshime të forta mbi vërtetësinë e dokumentacionit mjekësor të paraqitur në gjykatë. Sipas avokatëve mbrojtës, rezultatet e disa analizave të veshkave të depozituara në dosje nuk i përkasin legjendës argjentinase, por babait të tij, Don Diego, i cili gjithashtu mbante emrin Diego dhe u nda nga jeta në vitin 2015.

Kjo kërkesë ka detyruar trupin gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Alberto Baque, të ndërpresë menjëherë procesin. Gjykatësi ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize për të përcaktuar me saktësi nëse testet në fjalë i korrespondojnë vërtet “El Pibe de Oro” apo babait të tij. Verifikimi është caktuar të bëhet të enjten e ardhshme, më datë 27 gusht.

Kjo është një tjetër goditje për një proces që ka qenë i mbushur me polemika që në nisje. Kujtojmë se shtatë profesionistë të kujdesit shëndetësor janë në bankën e të akuzuarve për neglizhencë në trajtimin mjekësor të Maradonës, para ndarjes së tij nga jeta në nëntor të vitit 2020 në moshën 60-vjeçare. Sipas akuzës, ekipi mjekësor i ofroi atij kujdes të papërshtatshëm në fazën më delikate të rikuperimit, vetëm dy javë pas një operacioni për emboli cerebrale.

Nuk është hera e parë që ky rrugëtim gjyqësor përballet me pengesa të tilla absurde. Procesi i parë u anulua vitin e kaluar pas dy muaj e gjysmë seancash, për shkak të zbulimeve se një prej gjyqtarëve kishte marrë pjesë në një dokumentar klandestin lidhur me këtë çështje. Tanimë sytë janë kthyer nga ekspertiza e 27 gushtit, e cila pritet të sqarojë këtë mister të fundit që po mban peng drejtësinë për ikonën e futbollit botëror.

Top Channel