Kategoria Superiore ngre mbrëmjen e sotme siparin e saj për sezonin 2026/27. Edicioni i 88 vjen me disa risi duke nisur që nga ai i formatit të kampionatit pasi nuk do të ketë më fazën Final Four, por do të kete 3 faza të rregullta dhe një fazë playoff, ku 6 skuadrat e para do të luajnë mes tyre për titullin dhe playout me 4 skuadrat e fundit që do të luajnë për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Edhe për këtë vit Egnatia do të jetë skuadra për t’u mundur në futbollin shqiptar. Skuadra kampione në fuqi e vendit e drejtuar nga  Nevil Dede do të dojë të konfirmohet edhe njëherë si mbretëresha e futbollit shqiptar, por në këtë sezon impenjimet e kësaj skuadre do të jenë më të shumta pasi do të luajë në disa fronte, kampionat, Kupë dhe kompeticionet evropiane pasi e ka të sigurt pjesëmarrjen në Fazën e Ligës  së Conference League. Nuk duhet të lëmë mënjanë as Elbasanin, nënkampion i vendit që padyshim ka ambiciet e tij të qarta ashtu sikurse edhe Vllaznia që do të kërkojë të bëjë shumë më mirë se sezonin e kaluar dhe t’i japë më në fund pritjes prej më shumë se dy dekadash për të kthyer titullin në Shkodër.

Dinamo, fituese e Kupës në fuqi në dy edicionet e fundit pritet të jetë pretendente. Skuadra e Ilir Dajës duket në një formë të mirë dhe për këtë mjafton të shohësh në ndeshjet e saj në arenën evropiane të zhvilluara deri tani.

Padyshim që Partizani dhe Tirana si gjithnjë janë protagoniste të kampionatit shqiptar dhe Derbi i Kryeqytetit do të jetë më i ndezur se kurrë. Janë dy skuadra që gjithnjë duan të jenë aty në elitë, në garë me më të mirët për trofeun më të rëndësishëm në futbollin tonë. Por janë edhe Laçi e Skënderbeu, dy skuadra që pas një viti rikthehen në Kategorinë Superiore pas eksperiencës së tyre në Kategorinë e Parë. Dhe që të dyja do të kërkojnë të tregojnë se ky rikthim nuk ishte rastësi dhe se vendi i tyre është pikërisht në kategorinë më të lartë të futbollit në vendin tonë. Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes Teutën që me Edlir Tetovën në pankinë ka bërë ndryshime të shumta dhe po kërkon të ndërtojë një skuadër që do të shohë lart  dhe të jetë përkrah më të mirëve.

Edicioni i 88 do të nisë me sfidën mes Vllaznisë dhe Skënderbeut që do të luhet mbrëmjen e sotme në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës. Dy ndeshje të tjera do të luhen ditën e shtunë; Elbasani-Laçi dhe Partizani-Teuta, ndërsa të dielën mbyllet kuadri i javës së parë do të mbyllet me Dinamo-Vora dhe Egnatia-Tirana. Tashmë çdo gjë është gati, Kategoria Superiore rikthehet me 10 skuadra që janë në një garë me shumë objektiva por vetëm me një trofe në lojë…

Top Channel