Futbolli modern nuk zhvillohet më vetëm brenda 90 minutave të fushës së blertë.

Vitet e fundit, marketingu, estetika vizuale dhe lidhja me identitetin e tifozëve po luajnë një rol kyç, dhe këtë e vërteton më së miri lëvizja më e fundit e një prej skuadrave shqiptare. Përmes një videoje mjaft kreative të publikuar në rrjetet sociale, klubi i futbollit të Teuta së Durrësit, ka ngritur siparin e sezonit të ri duke zbuluar uniformat zyrtare në një mënyrë plotësisht të veçantë.

Larg prezantimeve klasike apo fotove rutinë, videoja ndërthur elemente kulturore, ritmin e jetës urbane dhe detajet e dizajnit të ri të fanellës, duke përcjellë një mesazh të fortë përkushtimi dhe krenarie, me ndihmën edhe të Inteligjencës Artificiale.

Cilësia e realizimit pamor, loja me dritë-hijet, si dhe vëmendja ndaj detajeve në pëlhurën e re, ku dallohen ngjyrat simbolike të klubit dhe elementet unike, të prezantuar simbolikisht nga mbretëresha Teutë, kanë marrë menjëherë vëmendjen e tifozëve në rrjetet sociale.

Kjo mënyrë inovative e prezantimit tregon se si klubet shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë trendet ndërkombëtare të ‘storytelling-ut’ sportiv, ku fanella nuk është thjeshtë një veshje loje, por një simbol identiteti për qytetin dhe tifozërinë. Me uniformën e re tashmë të zbuluar dhe entuziazmin që ka përfshirë ambientin e klubit, skuadra e Teutës, shfaqet më se e gatshme për sfidat e edicionit të ri futbollistik.

Top Channel