Përfaqësuesit e biznesit listuan një sërë shqetësimesh në takimin me kreun e opozitës. Por ai ku këmbëngulën më shume nuk ishte ekonomik.
“Ne sipërmarrësit nuk mund të japim mirëkuptim kur organizimi i betejës politike nuk është në përputhje me stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit”, tha Luan Bregasi.
“Duke qenë një vend në zhvillim për nga procesi ekonomik është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe faktor determinues stabiliteti politik dhe i klasës politike për ekonominë dhe aq më tepër për besimin e çdo qytetari, çdo sipërmarrësi”, u shpreh Nikolin Jaka.
Por zoti Basha ka një përgjigje të prerë. Opozita nuk tërhiqet.
“Stabilitet kemi pasur në këto 3 vjet e gjysmë. Nuk ka rëndësi stabiliteti nëse mbështetet në një lojë të pisët, pa rregulla, pa shtet ligjor, pa përfaqësim demokratik, pa konkurrencë, është vdekjeprurës”, tha kreu i opozitës.
Basha tha se Partia Demokratike do të ndërtojë një model të ri që do të ndaj qeverinë nga korrupsioni dhe pazaret me oligarkët.
“Çdo biznesmen që ulet me ministrin kokë më kokë do të qërohet ose njëri-tjetri”, tha Basha.
Basha siguroi biznesin se opozita do të mbështesë reformën në drejtësi, por në përputhje me ligjin.
“Vetingu do të bëhet sipas ligjit. Sipas marrëveshjes së 22 korrikut. Rruga për ta bërë këtë është e qartë për mua dhe për partnerët tanë ndërkombëtar, me të cilët jam në konsultim të vazhdueshëm. Duhet të jetë e qartë për ju dhe për çdo shqiptar, 22 korriku qartëson rrugën se si do të bëhet pastrimi i gjyqësorit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Ligjet që bëjnë të mundur zbatimin e përcaktimeve kushtetuese duhet të jenë në përputhje të plotë me përcaktimet kushtetuese”, tha Basha.
Top Channel