Zvarritja e krijimit të qeverisë së re në Maqedoni pengon, veç të tjerash dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara në maj të këtij viti. Në bazë të Kodit Zgjedhor maqedonas, zgjedhjet lokale duhet t’i shpallë kryetari i Parlamentit 70 ditë përpara organizimit të tyre.
Radio “Europa e lirë” thotë se nismëtarja e protestave kundër gjuhës shqipe, Iniciativa Qytetare për një Maqedoni, një lëvizje kjo mbështetëse e VMRO DPMNE-së, deklaroi se do të krijojë një “mur të gjallë” me tubuesit për të penguar mbledhjen e Parlamentit me iniciativën e tij, ku do të mund të zgjidhej kreu i këtij institucioni, të votohej qeveria e re e kësisoj rruga e përgatitjeve për zgjedhjet vendore.
Gruevksi ndërkohë vazhdon t’i mëshojë idesë se vetëm dy rrugë ka për të dalë nga kriza: ose të mbahen zgjedhje të parakohshme në muajin maj bashkë me ato lokale, ose Zaevi të pranojë ofertën e ËMRO-së. Ai hodhi idenë se në një farë mënyre është grusht shteti të sillet një platformë e hartuar nga një vend tjetër, duke iu referuar nismës shqiptare. Ajo që ndodh tani në Maqedoni është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, citohet të ketë thënë politikani konservator.
Në këtë mënyrë, sipas argumenteve të tij, shkohet drejt shtetit binacional e anashkalohen bashkësitë e tjera etnike në Maqedoni, siç janë turqit, romët, sërbët, boshnjakët vllehët e kroatët, ndërsa favorizohet vetëm një bashkësi etnike.
Top Channel