Vrasja e Jong-nam, ngrihen akuzat ndaj dy autoreve të dyshuara

01/03/2017 00:00

Dy gratë e dyshuara për vrasjen e Kim Jong-nam, vëllait të udhëheqësit koreano-verior, janë akuzuar zyrtarisht për krimin. Doan Thi-huong nga Vietnami dhe Siti Aisyah nga Indonezia mendohet se kanë hedhur një agjent vdekjeprurës në fytyrën e Kim, ndërsa ai gjendej në aeroportin e Kuala Lumpurit më 13 shkurt.

Gratë u shfaqën në një gjykatë pranë kryeqytetit malajzian, të mbrojtura nga forcat speciale. Nëse do të shpallen fajtore, ato mund të dënohen me vdekje.

Pas leximit të akuzës, Doan Thi-huong u deklarua e pafajshme. Kim Jong-nam, vëlla nga babai i Kim Jong-un ishte një kritik i zëshëm i regjimit të Penianit dhe besohet se, pas vrasjes qëndron pikërisht ai.

Të dyja gratë kanë thënë më herët se ishin paguar për të marrë pjesë në atë që mendonin se ishte një shaka televizive. Sipas dëshmisë, grave u ishte thënë se do të spërkasnin me vaj bebesh viktimën e tyre.

Ndërkohë, kryeprokurori malajzian njoftoi se nuk ishte marrë ende një vendim nëse për krimin do të akuzohej edhe i arrestuari i tretë, shtetasi koreano-verior Ri Jong-chol.

Mes të dyshuarve të tjerë për vrasjen përfshihet edhe një zyrtar i lartë në Ambasadën e Koresë së Veriut në Kuala Lumpur dhe pjesëtarë të stafit të kompanisë shtetërore të fluturimeve.

42-vjeçari Kim Jong-nam po bënte “check in”-in për një fluturim në Macau, ku edhe jetonte, kur iu spërkat në fytyrë një lëndë shumë toksike, e konsideruar si armë e shkatërrimit në masë nga OKB-ja. Sipas Ministrisë malajziane të Shëndetësisë, ai vdiq brenda 20 minutave.

Top Channel