Francë, thellohet skandali i shpërdorimit të fondeve nga Le Pen

27/02/2017 00:00

Ish-ndihmësi i kandidates presidenciale të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka bërë publike akuza të reja në lidhje me financimin hileqar të partisë.

Gael Nofri tha se në vitin 2012, Fronti Nacional e kishte rekrutuar në ekipin e fushatës presidenciale të Le Penit, duke përdorur një kontratë fiktive të Parlamentit Europian. Kjo duket se ishte një mënyrë që ndiqej nga partia ekstremiste për të shmangur deklarimin e shpenzimeve të fushatës.

Fronti Nacional, aktualisht është vënë nën hetim për shpërdorim të fondeve të PE-së. Sondazhet, ndërkohë, sugjerojnë se Le Pen është në rrugën e duhur për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të prillit, por kandidati i qendrës, Emmanuel Macron duket se po fiton terren dhe pritet me të gjitha gjasat që ta mposhtë atë në balotazhin e një muaji më vonë. Sipas një sondazhi të “Figaro/LCI” të së dielës, nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, Macron do të merrte 58% të mbështetjes në balotazh, kundrejt 42% të votave për Le Penin.

I cituar nga mediet franceze, Nofri tha se kishte nënshkruar një kontratë pune për Le Penin në shtator të vitit 2011. “Por në vitin 2012 m’u deklarua se ekzistonte një problem dhe për të vijuar punën duhej të firmosja pikërisht një kontratë nga Parlamenti Europian. Unë e refuzova”, tha ai.

Nofri tashmë është këshilltar bashkiak në Nice nga radhët e Partisë Republikane të qendrës së djathtë, ndërsa i ka shkëputur lidhjet me Frontin Nacional. Më vonë gjatë vitit 2012, atij i ishte dhënë një kontratë pune me kontabilistin e Frontit, Nicolas Crochet, por siç thekson ai, “kurrë nuk ka shkelur në zyrën e Crochet”.

Faqja franceze e internetit, “Mediapart” thotë se hetuesit për mashtrimet financiare kanë gjetur prova për pagesa prej 4.500 eurosh në muaj ndaj Nofri duke nisur nga viti 2012, duke e identifikuar atë si një asistent të Parlamenti Europian për eurodeputetin Jean-Marie Le Pen, babain e Marine dhe ish-kreun e Frontit Nacional.

Por edhe këtë, Nofri e hedh poshtë: Nuk kam qenë kurrë asistent i Jean-Marie Le Pen.

Të paktën 3 bashkëpunëtorë të tjerë të Marine Le Pen nga Fronti Nacional ndodhen aktualisht nën hetim juridik në Francë, e ato janë Catherine Griset, Frederic Chatillon dhe truproja e saj, Thierry Legier. Le Pen ka refuzuar policinë për një seancë marrjeje në pyetje në lidhje me shpërdorimin e fondeve të BE-së, një të drejtë që po e shfrytëzon vetëm prej faktit se ajo gëzon imunitet parlamentar.

Top Channel