Investimi 1 miliard euro, BSH mbështet projektin e qeverisë

01/02/2017 00:00

Banka e Shqipërisë e mbështet projektin e qeverisë për të investuar 1 miliard euro në ekonomi përmes privatëve.

“Ne gjykojmë që ky projekt i qeverisë do të jetë i bazuar në projekte madhore dhe këto projekte do të tërheqin kursimet dhe investimet e bankave të nivelit të dytë. Pra, përbën një potencial jo vetëm zhvillimi ekonomik dhe makro-ekonomik, por edhe një potencial investimi për bankat. Sigurisht që këto projekte do të studiohen nga sistemet financiare për të parë fizibilitetin e tyre”, ka deklaruar Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike ka vazhduar të forcohet në tremujorin e fundit të vitit.

“Në gjykimin tonë në 3-mujorin e katërt rritja ekonomike do të jetë më e madhe se ajo e 3-mujorit parardhës. Rritja e 2016-s do të jetë e përafërt me atë të 9-mujorit të parë të vitit dhe do të jetë më e lartë se ajo e vitit 2015”, ka saktësuar Sejko.

Sipas tij, ky trend do të vazhdojë edhe në dy vitet e ardhshme, kur ekonomia pritet të rritet me kapacitet të plotë, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme.

“BSH pret një përmirësim të kreditimit në 2017, pritshmëri këto që do të shtohen nga sinjalet për rigjallërim të kërkesës për kredi dhe nga efektet pozitive në ofertë që do të sjellë realizimi i planit të masave për reduktimin kredive me probleme”, ka vijuar Sejko.

Banka e Shqipërisë vendosi ta mbajë të pandryshuar në 1.25 për qind normën bazë të interesit.

Top Channel