Moti, Basha akuzon Ramën: Qeveria të shpallë emergjencën

10/01/2017 19:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Kukës për të parë nga afër gjendjen e krijuar prej dëborës e ngricave. Basha u shpreh se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, me drejtuesit e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, si dhe me degët e Partisë Demokratike për t’iu gjendur sa më pranë njerëzve.

“Regjimi për drutë e zjarrit është ndëshkues. Kam qënë në kontakt me qytetarët dhe këshilltarët bashkiakë. Bashkitë nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga qeveria qendrore, ia kanë dalë të vetme. Puna në Kukës është për t’u lavdëruar. Këto janë ditë të vështira me mungesë energjie. Ngrohja dhe problemet me energjinë elektrike janë halle të mëdha që janë ngritur nga të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë, pa dallim. Ndërkohë, kamionët e qeverisë ngarkohen me dru dhe qytetarët ndëshkohen për shkurre. Situata është rënduar në gjithë vendin. Çmimi i latave të druve në Korçë, Ersekë, Përrenjas, Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Shkodër, këtu në Kukës, është dyfishuar, nga 20 mijë lekë, në 40 mijë. Në Korçë nga 35 mijë lekë, në 70 mijë. Dy problemet më të mëdha për njerëzit janë çmimi i lartë i druve dhe mungesa e energjisë elektrike”, tha Basha.

Kryetari i opozitës i ka bërë thirrje kryeministrit ta njohë realitetin dhe të shpallë gjendjen e emergjencës.

“Kryeministri të shohë gjendjen në terren. Banorët janë të izoluar dhe në errësirë. Kërkohet një angazhim më i madh nga qeveria. Por, qeveria nuk e merr përsipër emergjencën. Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe keqardhjen gjithashtu, për punonjësit e OSHEE të cilët punojnë në kushte ekstreme, ku shpëtohen nga banorët kur rrezikojnë dhe jetën. Kjo tregon se nuk është investuar në këto 3 vite. Qeveria ia ka lënë barrën bashkive, por duhet të kthejë sytë kendej sepse emergjenca nuk ka kaluar. Kjo është një gjendje emergjence dhe qeveria nuk përgjigjet siç i takon, duke shpallur emergjencën”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA