Superiorja, përplasen të barabartët. Skënderbeu-Partizani, për vendin e dytë

21/12/2016 00:00

Ditën e enjte do të zhvillohet java e fundit e fazës së dytë të Kategorisë Superiore, si dhe ndeshja e fundit e kampionatit shqiptar për vitin kalendarik 2016.

Shtimi i pretendentëve për titullin e bën këtë fundvit të ketë disa përballje të rëndësishme. Megjithatë, njëra prej tyre ka një pritshmëri shumë më të madhe. Bëhet fjalë për përballjen mes Skënderbeut dhe Partizanit, dy skuadrave që ndajnë vendin e dytë me pikë të barabarta.

Mëngjesin e së mërkurës, të kuqtë u nisën drejt Pogradecit ku do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore, ndërkohë që trajneri Starova vazhdon të respektojë zgjedhjen e tij, të çuditshme deri diku, për të mos dhënë asnjë deklaratë në prag të ndeshjeve.

Ndryshe ndodh me Agostinellin, i cili vazhdon të jetë i rrezikuari i madh në stolin e kampionëve korçarë.

“Mund të them se Partizani është një skuadër e kompletuar dhe shumë e fortë në vetvete, e për këtë arsye duhet pasur një konsideratë e lartë. Nuk ka një lojtar që duhet veçuar, por mendoj se ka një grup shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, por ajo që më intereson më shumë është që të fitojë skuadra ime”, tha Andrea Agostinelli, trajner i Skënderbeut.

Ndërkohë Kukësi kryesues udhëtoi të mërkurën drejt Gjirokastrës, ku e pret Luftëtari ditën e enjte, ndoshta me synime të ndryshme në këtë fundviti, por që gjithsesi gjirokastritët në sytë e të gjithëve meritojnë shumë respekt për nivelin e lojës që po tregojnë.

“Kjo është një nga ndeshjet më të vështira të këtyre dy fazave, në një situatë që kërkojmë të ecim përpara. Na duhet me patjetër që të kalojmë këtë vështirësi. Gjatë të gjithë kohës kemi qenë me këmbë në tokë, asnjëherë nuk e kemi parë veten në eufori, sepse kemi vënë një kauzë vetes për një objektiv shumë madhor. Që të dalësh kampion në futbollin shqiptar duhet ta meritosh. Gjyqtarët janë një pjesë që nuk vendosin veton apo nuk të bëjnë kampion”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Në këtë javë të 17 do të luhet edhe klasikja e futbollit shqiptar, mes Vllaznisë dhe Tiranës, por problematika e të dyja skuadrave dhe momenti në të cilin përballen, ka ulur ndjeshëm vëmendjen krahasuar me emrin e madh në letër që ka kjo ndeshje.

Top Channel