Trump, zyrtarisht president

20/12/2016 00:00

Zyrtarizimin e fitores së tij nga Kolegji Elektoral, Donald Trump e përshëndeti me një mesazh në “Twitter”.

“Ia dolëm! Faleminderit të gjithë mbështetësve të mi të mëdhenj. Ne sapo i fituam zyrtarisht zgjedhjet, pavarësisht të gjithë shtrembërimeve dhe raportimeve të pasakta mediatike!”.

Vota e së hënës thërrmoi edhe shpresat e fundit të atyre që besonin se kishte ende mundësi për t’i ndaluar Trumpit marrjen e çelësave të Zyrës Ovale.

Të paktë ishin elektorët që thyen radhët për të votuar kundër rrymës. Në fund, ata që u rebeluan më shumë ishin demokratë sesa republikanë, çfarë nxjerr në pah – sipas “Reuters”, – ndasitë e thella brenda vet partive të mëdha.

Katër demokratë votuan për dikë tjetër në vend të Hillary Clintonit, ndërsa dy republikanë i kthyen shpinën miliarderit. Kaq mjafton, megjithatë, për t’u konsideruar si numri më i madh i elektorëve të pabesë në më shumë se një shekull, të cilët nuk zbatojnë direktivat e shteteve që përfaqësojnë.

Nëse votimi do të kishte përfunduar në barazim 269-269, atëherë çështja do të kalonte në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila do të zgjidhte presidentin e ri të vendit.

Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit. Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789.

Top Channel