“Pranojmë që të ‘ngrihen’ frontet aktuale të luftës”, Zelensky jep propozimin: Mund të jetë hapi i parë drejt negociatave për paqe

21/10/2026 17:26

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka treguar disa lëshime pas një kohe të gjatë mbi kushtet që mund të rihapin negociatat e paqes me Rusinë, duke vënë në dukje se ai mund të pranonte një stopim të luftës në vijat aktuale të frontit, duke i lënë përkohësisht territoret e pushtuara aktualisht nga Moska nën kontrollin rus ndërsa negociatat vazhdonin.

Në një intervistë në Fox News, Zelensky u pyet nëse do të pranonte një marrëveshje që në thelb do të ndalonte luftimet në frontet aktuale.

“A do të pranonit një marrëveshje paqeje që do të ngrinte gjithçka siç është tani, me Ukrainën që mban 75% ose më shumë të territorit të saj?”, ishte pyetja që iu bë. “Po,” u përgjigj Zelensky.

“Tani për tani duhet ta ngrijmë situatën dhe mendoj se kjo është mënyra e vërtetë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ne e quajmë armëpushim ose ‘ndaloni vrasjet’, siç e quajti Presidenti Trump. Ngrijeni dhe ndaloni”, shtoi ai.

“Ata nuk po fitojnë në fushën e betejës. Kjo është arsyeja pse ata duan të ushtrojnë të gjitha llojet e presionit mbi ne për të na dëbuar nga toka jonë. Nuk është e drejtë. Ne nuk mund të largohemi thjesht nga vendi ynë, nga shtëpitë tona. Bëhet fjalë për fëmijët tanë. Kjo është arsyeja pse themi të qëndrojmë aty ku jemi. Le t’i drejtohemi diplomacisë. Është një ide e shkëlqyer, armëpushimi që Presidenti i Shteteve të Bashkuara propozoi”, shtoi presidenti ukrainas.

Megjithatë, Zelensky sqaroi se një ndërprerje e tillë e armiqësive do të ishte vetëm hapi i parë dhe se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci të forta sigurie për të parandaluar Rusinë të rifillojë luftën.

“Ky është, sigurisht, minimumi që na duhet nga Rusia sot. Pastaj do t’i drejtohemi presidentit dhe evropianëve dhe do të kërkojmë garanci sigurie”, tha ai.

“Gjëja më e rëndësishme është paqja, por edhe siguria e paqes. Nuk duhet të ketë frikë se pushtimi do të kthehet, se agresioni do të kthehet, se vrasjet do të kthehen. Ne duhet ta ndalojmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse na duhet një ngrirje në luftime dhe bisedime”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky shtoi se Kievi do të ketë nevojë për “garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara”, si dhe mbështetje nga partnerët e tij për të rindërtuar dhe rinisur vendin.

Komentet e Zelensky-t vijnë ndërsa Donald Trump rrit presionin mbi Kievin për të arritur një marrëveshje me Moskën.

Presidenti amerikan ka mbështetur vazhdimisht idenë e ndalimit të luftimeve në vijat ekzistuese të frontit, ndërsa Rusia vazhdon të kërkojë kontrollin e territorit shtesë ukrainas, duke përfshirë zonat e Donjetskut që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus.

Të dyja palët mbeten shumë larg si për statusin përfundimtar të territoreve të pushtuara ashtu edhe për formën që mund të marrë një sistem garancie sigurie pas luftës.

Moska gjithashtu vazhdon të kundërshtojë pranimin e Ukrainës në NATO, ndërsa Kievi po kërkon garanci detyruese nga Uashingtoni dhe qeveritë evropiane kundër një sulmi të ri rus.

Zelensky e paraqiti “ngrirjen” e vijës aktuale të frontit si një mënyrë për të kaluar nga luftimet në negociata, jo si një zgjidhje përfundimtare të çështjes territoriale.

Në të njëjtën kohë, ai vendosi si përparësi kryesore kthimin e miliona ukrainasve që kanë ikur nga vendi për shkak të luftës.

“Na duhen 9.5 milionë njerëz që janë të shpërndarë kudo. Na duhen që ata të kthehen në Ukrainë, të jetojnë këtu dhe të rindërtojnë vendin e tyre”, përfundoi Zelensky.

Top Channel