Kina: Shtetet e Bashkuara sajuan incidentin me dronin nënujor

17/12/2016 00:00

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë sajuar incidentin me dronin nënujor amerikan që u sekuestrua nga marina kineze në ujëra ndërkombëtare, në Detin e Kinës së Jugut.

Pentagoni deklaroi se droni po përdorej për kërkime shkencore dhe kërkoi që objekti t’i kthehej, duke paralajmëruar Kinën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Nga ana e saj, qeveria kineze deklaroi fillimisht se dy vendet janë në bisedime për kthimin e objektit, por më pas, më një deklaratë të dytë, Ministria e Mbrojtjes akuzoi Amerikën për reagim të tepruar lidhur me incidentin.

Sidoqoftë, ky rast përbën një nga përplasjet më serioze në dekada mes dy fuqive të mëdha. Por, ai që i hodhi benzinë zjarrit ishte presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump, i cili akuzoi Kinën se e kishte vjedhur dronin nënujor.

Trump i kishte acaruar marrëdhëniet me Pekinin edhe më herët, pasi kishte folur në telefon me presidenten e Taivanit, duke shkelur praktikën protokollare të SHBA lidhur me kontestin Kinë-Taivan.

Top Channel