Francë, sekuestrohen armët e ETA-s, 5 të arrestuar

17/12/2016 00:00

Policia franceze dhe ajo spanjolle kanë arrestuar 5 persona gjatë një operacioni të përbashkët për sekuestrimin e armëve në dispozicion të militantëve të grupit separatist ETA.

Armët e zjarrit dhe sasi eksplozivi u gjetën në qytetin Luhosoa, në jug-perëndim të Francës, deklaruan autoritetet lokale.

Sidoqoftë, avokati francez për të drejtat e njeriut, Michel Tubiana deklaroi se personat e arrestuar ishin aktivistë që kishin në plan të shkatërronin armët e ETA-s, ose t’ua dorëzonin autoriteteve.

ETA shpalli armëpushimin në vitin 2011, por ka refuzuar të dorëzojë armët. Avokati Tubiana deklaroi se kishte në plan të takohej me grupin e aktivistëve, por më pas nuk mori pjesë në takim.

“Ne nuk i fshehëm armët, qëllimet tona ishin të qarta që në fillim”, tha ai. Ndërkohë, burime të afërta me çështjen deklaruan se, personat e arrestuar do të transferohen në Paris për t’u marrë në pyetje nga prokurorët.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Le Roux deklaroi se, “askush nuk ka të drejtë të vetëshpallet si asgjësues armësh”. Ai tha gjithashtu se, arrestimet ishin rezultat i një “bashkëpunimi të shkëlqyer” me autoritetet spanjolle dhe “një goditje e rëndë për ETA-n”.

Top Channel