Një ‘reality show’ ku lejohet gjithçka…edhe vrasja

15/12/2016 00:00

Në epokën e “reality show”, nga Rusia mbërrin më mizori, i ngjashëm me skenaret e filmit të famshëm hollivudian, “The Hunger Games” me ndryshimin e madh dhe të vetëm se gjithçka është reale.

Bëhet fjalë për një spektakël televiziv të titulluar “Game2: Winter” dhe ideuar nga miliarderi rus, Yevgeny Pyatkovsky.

Skena e spektaklit do të jetë një zonë e pabanuar në Siberi, ku temperaturat në dimër shkojnë minus 40 gradë celcius. Pikërisht atje, mes ujqërve dhe arinjve do të hidhen 30 persona, 15 djem dhe 15 vajza të moshës mbi 18 vjeç që për nëntë muajn do të duhet më shumë të mbijetojnë sesa të konkurrojnë për çmimin e madh prej thuajse 2 milionë dollarë.

Rregullat e spektaklit janë praktikisht të thjeshta: nuk ka fare!

“Në spektakël lejohet gjithçka. Zënkat, grushtat, alkooli, tymosja, droga, përdhunimi, vrasja. Pra gjithçka”, thotë Yevgeny Pyatkovsky, 35 vjeç.

Rregulli i madh në gjithë këtë lojë pa rregulla është që vetë organizatorët nuk do të marrin përsipër asgjë dhe për këtë do të sigurohen përmes një kontrate të nënshkruar nga pjesëmarrësit.

“Ne do të refuzojmë çdo pretendim të ndonjë pjesëmarrësi për përdhunim apo vrasje. Ne nuk do të përfshihemi fare në këtë. Pjesëmarrësit do të nënshkruajnë para se të bëhen pjesë një kontratë ku gjërat janë të qarta”, thotë miliarderi rus.

Por nëse vetë loja nuk ka rregulla, të paktën ligji rus do të zbatohet edhe brenda saj.

“Pjesëmarrësit do ta kenë të qartë që nëse ka prova për një krim të kryer, atëherë do të vijë policia dhe do t’i arrestojë”, thotë Pyatkovsky.

Në spektakël nuk lejohen armët e zjarrit. Pjesëmarrësit do të pajisen vetëm me një thikë për ta përdorur për gjueti apo peshkim për të mbijetuar dhe asgjë tjetër.

FOTO GALERI
2/5
Pjese e spektaklit edhe ujqerit e arinjte

Top Channel