Trump ndryshon mendje për konfliktin e interesit mbi bizneset e tij

13/12/2016 00:00

Donald Trump nuk e ka bërë ende të qartë sesi ka në plan të ndajë interesat e tij të biznesit nga  presidenca që do të marrë zyrtarisht në 20 janar.

Presidenti i zgjedhur amerikan ka vendosur që të gjitha detajet e asaj që perceptohen si konflikt i mundshëm interesi, t’i diskutojë në një konferencë për shtyp ditën e enjte.

Ndërkohë, republikani bëri me dije se i përzgjedhuri i tij si këshilltar i lartë ekonomik është Gary D. Cohn , një bankier i njohur amerikan, i cili me pozicionin e ri pritet të jetë një nga zërat më me ndikim në vendimet ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.

Si presidenti i “Goldman Sachs”, ai është i treti person në kabinetin e Trump që vjen nga radhët e sektorit bankar.

Steven Mnuchin, Sekretari i Thesarit dhe Steve Bannon, këshilltar i ri i lartë i Shtëpisë së Bardhë janë të dy ish-drejtuesit e Goldman.

Ekipi i Trump bën me dije se një nga arsyet kryesore që presidenti i zgjedhur po vonon të japë me shumë detaje për ndarjen nga biznesi është sepse Trump numëron qindra biznese dhe prona dhe koha e mjaftueshme siguron që procedura të bëhet sipas protokollit.

Interesat  e gjëra vendore dhe ndërkombëtare të biznesit të Trump përfshijnë hotele , fusha golfi, duke përfshirë edhe dy në Skoci, si dhe një shumëllojshmëri të pronave të pasurive të patundshme:  zyra, ndërtesa banimi madje dhe universitetin “Trump”.

Top Channel