Kriza në Ukrainë, Merkel-Hollande: Sanksione të mëtejshme Rusisë

13/12/2016 00:00

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, dy ditë para samitit të BE-së që do të diskutojë konfliktin në lindje të Ukrainës, thanë se duan të zgjasin sanksionet ndaj Rusisë për shkak të mungesës së progresit në implementimin e armëpushimit, për të cilin u ra dakord në Minsk në shtator të vitit 2014.

Konflikti mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Moska i ka kushtuar jetën deri më tani thuasje 10 mijë njerëzve. Gjermania dhe Franca janë përpjekur që të bindin palët të implementojnë armëpushimin, po pa sukses. Në këtë kuadër, Kancelarja gjermane Angela Merkel, pas bisedimeve me presidentin francez François Hollande, tha se implementimi i armëpushimit është tejet i ngadaltë.

“Do të jetë e nevojshme që të zgjasim sanksionet ndaj Rusisë sërish, megjithëse do të kishim preferuar progres më të mirë në implementimin e këtij procesi”, deklaroi Merkel.

I njëjtë edhe qëndrimi i Hollande, i cili tha se duhen vazhduar sanksionet ndaj Moskës, pasi kushtet e marrëveshjes së Minskut nuk janë plotësuar. Sanksionet janë zgjatur disa herë dhe aktualet skadojnë në fund të janarit të ardhshëm.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se nxit lëvizjen separatiste dhe ndihmon rebelët, ndërsa Moska i mohon akuzat dhe thotë se është Ukraina që nxit dhunë dhe shkel marrëveshjen.

Top Channel