Trump kundër CIA-s: Hakerat rusë, “teori konspirative”

12/12/2016 00:00

Donald Trump ka reaguar sërish ndaj pretendimeve të inteligjencës amerikane se hakera rusë kanë ndërhyrë në zgjedhjet në shtetet e bashkuara. “A mund ta imagjinoni nëse rezultatet do të ishin të kundërta dhe ne do të përpiqeshim të luanim me kartën Rusi? Kjo sigurisht do të quhej një teori konsipirative!”, shkruan ai në Twitter.

Po ashtu, Trump pyet përse akuzat nuk u bënë publike para zgjedhjeve. Komentet e tij, e vendosin kështu kryekomandantin në ardhje, kundër shërbimeve të inteligjencës që ai vetë do të drejtojë. “Nëse nuk i kapni hakerat ndërsa janë në veprim, atëherë nuk mund ta zbuloni se kush po hakeron. Përse e gjithë kjo nuk u zbulua para zgjedhjeve?”, shkruan Trump.

FBI tha në tetor se besonte se Rusia qëndronte pas sulmeve kibernetike në adresat e Partisë Demokratike, por të premten, CIA shkoi akoma më tej, duke dalë në përfundimin se motivi i Rusisë, ishte që të ndihmonte Trumpin. Zyrtarë të CIA-s thanë se besonin se hakerat rusë ishin përpjekur të devijonin rrjedhën e zgjedhjeve amerikane në favor të Trumpit.

Ekipi i këtij të fundit u përgjigj duke thënë se këto deklarata bëhen nga të njëjtët njerëz që thoshin se Sadam Hyseini kishte armë të shkatërrimit në masë. Një ditë më parë, Trump tha në një intervistë për “Fox News”, se demokratët po përhapnin raportet qesharake për hakerim sepse humbën zgjedhjet dhe se është e pamundur të zbulohet se kush qëndron pas sulmeve kibernetike.

Presidenti Barack Obama ka urdhëruar ndërkohë një hetim të plotë të sulmeve kibernetike, që kishin në shënjestër e-mailet e Partisë Demokratike dhe ato të ndihmësit kryesor të fushatës së kandidates demokrate Hilary Clinton.

Përmbajtja e e-maileve iu kalua “Wikileaks” dhe u postua online duke bënë në siklet demokratët dhe duke shokuar fushatën zgjedhore.

Top Channel