Shpërthimet në Stamboll, 38 viktima dhe 166 të plagosur

11/12/2016 00:00

Shpërthimet e fuqishme pranë stadiumit të ekipit të Beshiktashit, në qytetin më të madh turk të Stambollit, lanë 38 persona të vdekur dhe mbi 166 të plagosur. Mes viktimave, edhe 30 oficerë policie.

Ngjarjet e mbrëmjes së të shtunës, që kishin të bënin me një autobombë dhe një shpërthim kamikazi, kishin për objektiv forcat e policisë turke, sipas asaj që bëjnë të ditur zyrtarët. Ato ndodhën vetëm dy orë pasi kishte përfunduar ndeshja mes Besiktasit dhe Bursasporit, për kampionatin vendas të futbollit.

Deri më tani janë arrestuar 10 persona, ndërkohë që në Turqi është shpallur një ditë zie kombëtare. Vendi është përfshirë së fundi nga një valë sulmesh vdekjeprurëse në qytetet kryesore të tij.

Asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin e mbrëmshëm, por vala e sulmeve me bomba në Turqi gjatë këtij viti zakonisht është marrë përsipër nga militantët kurdë apo nga ata të të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Fakti që është goditur policia i fokuson dyshimet te grupet e militantëve kurdë, të cilët në më të shumtën e rasteve kanë shënjestruar forcat e sigurisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi numrin e viktimave, por nuk dha detaje të mëtejshme. “Një sulm terrorist është ndërmarrë ndaj forcave tona të sigurisë, si dhe qytetarëve tanë”, tha ai. “Nga sa kemi mësuar, shpërthimet pas ndeshjes Besiktas-Bursaspor kanë pasur si synim të shkaktonin sa më shumë viktima. Si pasojë e këtyre sulmeve, fatkeqësisht kemi disa martirë dhe të plagosur”.

Edhe pse shpërthimet ndodhën dy orë pasi ndeshja kishte përfunduar, mediet lokale raportuan se tifozët ishin shpërndarë. Ndërkohë, ekipi i Bursasporit njoftoi përmes “Twitter”-it se tifozët e tyre nuk kishin dijeni për ndonjë viktimë apo të plagosur mes tyre.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu tha se “ngjarja mësohet të ketë ndodhur si pasojë e një autobombe, pikërisht në pikën ku forcat tona speciale ishin të vendosura, në daljen e tifozëve të Bursasporit, por fatmirësisht pasi kishin dalë tifozët”. Shpërthimi i dytë, sipas tij, kishte ndodhur pranë sheshit “Macka Park”, e dyshohet të ketë qenë një kamikaz që ka hedhur veten në erë.

Top Channel