Tragjedi në Bullgari, treni del nga shinat dhe shpërthen

10/12/2016 00:00

Dalja nga shinat e një treni në Bullgari dhe shpërthimi i tmerrshëm që e pasoi kanë marrë të paktën 5 jetë njerëzish e kanë plagosur 25 të tjerë. Ngjarja ndodhi në fshatin e Hitrinos, ku siç thotë Reuters, janë shkatërruar gati 20 banesa.

Të paktën 3 prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën.Kkryeministri në largim Boiko Borisov u nis drejt vendit të tragjedisë, i cili ndodhet rreth 280 km në verilindje të kryeqytetit Sofje e strehon rreth 800 vetë. Banorët e zonës kanë mbetur thellësisht të tronditur.

“Një shpërthim i tmerrshëm, shtëpia jonë nisi të lëkundej e gjitha. Por prapë ishim me fat, se shumë shtëpi të tjera në pjesën e poshtme të fshatit janë shkatërruar e djegur krejtësisht”, thotë një banor i zonës.

Shtatë prej vagonëve të trenit të aksidentuar të mallrave që transportonte propan  butan dhe propilen, kanë dalë nga shinat me t`iu afruar stacionit të fshatit, kanë goditur një linjë të energjisë elektrike e kanë marrë në flakë. Forca e shpërthimit ishte e jashtëzakonshme.

“Mezi arrita të largohem. Vala e shpërthimit më goditi e më shtynte në drejtimin e kundërt”, thotë një tjetër banor.

Rreth 150 zjarrfikës po luftojnë për të fashitur zjarrin e janë angazhuar gjithashtu edhe në operacionin e kërkimit të të mbijetuarve në banesat pranë linjës hekurudhore.

Top Channel