Ajo ka një jetë si kalorëse dhe ka udhëtuar në shumë vende. Por Shqipëria deri më sot ishte një terren i pashkelur për  83-vjeçaren franceze Marie Touzeriy.

Ajo zgjodhi jo vetëm të festojë ditëlindjen, por edhe të përmbyllë udhëtimet e më shumë se 7 dekadave me kalë anë e mbanë botës. Një javë shqiptare ishte sfiduese për të nëpër zonën e Lunxhërisë, Antigonesë , Libohovës dhe Dropullit në Jug.

Marie Touzeriy apo Jenevieve siç e thërrasin familja dhe miqtë ka lindur dhe jeton në Paris. Ajo festoi 83 vjetorin dhe mbushi plot 75 vite si kalorëse profesioniste. Zgjodhi të ndërmarrë udhëtimin e saj të fundit me kalë pikërisht në Shqipëri, një vend që nuk e njihte dhe që kishte mbetur misterioz përgjatë gjithë kohës.

“Eksperienca si kalorëse është unike në jetën time, që prej fëmijërisë në rrethinat e Parisit dhe më pas përgjatë gjithë jetës në të gjithë botën. Kalërimin nuk e kam ndarë dot nga njohja e vendeve të tjera, natyrës kulturës dhe njerëzve”.

Ka kalëruar në Greqi në kohën që vendi ynë ishte i izoluar. 

“Atëherë askush nuk e dinte ç’ndodhte këtu dhe të them të drejtën nuk e kisha menduar se një ditë do ta zbuloja këtë vend”.

Një javë me kalë në terren sfidues nëpër zonën e Lunxhërisë, Antigonesë , Libohovës dhe Dropullit në Jug të vendit në Gjirokastër ishin një zbulim mbresëlënës sipas saj. Mosha i vështirëson disi ngjitjen në kalë, por nuk i ka zbehur asgjë teknikës, menaxhimit dhe raportit që Jenevieve vendosi me kuajt që fëmijë.

Ajo ka kalëruar gjatë me të atin, më pas me të shoqin, me vajzën e saj dhe së fundi me mbesat.
 
“Kalërimi më lejoi që të njoh atë sesi ky rajon jeton, sesi e kultivon tokën, si e zhvillon vreshtarinë dhe sesi këto përbëjnë një atraksion të rrallë turistik. Këtu në Shqipëri kam gjetur një natyrë fantastike, mundësi të shumta për turizëm  dhe njerëz shumë mikpritës e të dashur. “

Ne France thotë se ka më shumë kalorëse gra sesa burra.

“Mendoj që gratë janë të afta për shumë gjëra. Nuk duhet domosdoshmërisht shumë forcë për të menaxhuar kalin. Duhet teknikë, dashuri dhe t’i merr pas shumë energji që pastaj e vë në funksion të jetës dhe të familjes.

Çdo kalë në jetën e saj thotë se i ka mësuar diçka të çmuar. 

“Grivi, shoku im i palodhur i kësaj jave këtu në Shqipëri më mësoi se sfidat në ekip kanë nevojë për respekt të ndërsjellët. Ai ishte i sigurt, i vendosur dhe shumë kurioz kështu që e plotësoi më së miri karakterin tim”.

Jenevieve ka punuar gjatë gjithë jetës si juriste për TV France 2 ndërsa në kohën pas daljes në  pension po kontribuon vullnetarisht si mësuese e frëngjishtes për fëmijët e nacionaliteteve të tjera. Në Shqipëri mbyllur udhëtimet e disa dekadave me kalë.

Top Channel