SHBA, zgjedhjet e Trumpit vlerësohen më pak se të Obamës apo Bushit

08/12/2016 00:00

Një sondazh i “Pew Research” mbi atë që konsiderohet si normë miratimi nga amerikanët, për emërimet e reja që po bën presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, gjatë kësaj faze tranzicioni, duket se e nxjerr atë më poshtë sesa Obama apo presidentët e mëparshëm të Amerikës.

Rreth 40 për qind e amerikanëve të anketuar nga “Pew Research” mes 30 nëntorit dhe 5 dhjetorit janë shprehur se miratojnë emërimet e Trumpit në kabinetin e tij, apo edhe në postet e tjera kryesore deri më tani. Thuajse e njëjta mbështetje, 41%, miratojnë edhe mënyrën sesi ai “po shpjegon politikat e tij dhe planet për të ardhmen”.

Ndryshe nga tani, një pjesë më e madhe e publikut të anketuar në dhjetorin e vitit 2008 ka pasur një pikëpamje pozitive mbi periudhën tranzit të presidentit Obama. Plot 71 për qind e amerikanëve miratuan emërimet e tij të kabinetit, ndërsa 72% miratuan shpjegimin e planeve të tij.

Në janar të vitit 2001, kur George W. Bush mori detyrën e presidentit, 58 për qind dhe 50% e amerikanë miratuan respektivisht emërimet dhe shpjegimet e planeve të tij.

Tranzicioni i Trumpit, që fillimisht u shoqërua me raporte për një rrëmujë totale, kohët e fundit është dashur të përballet me kritika të forta mbi disa të emëruar. Figura më kontroversiale ka qenë ajo e Stephen Bannon, kryestrategut në ardhje të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, i cili dikur drejtonte faqen e internetit antipari dhe me pikëpamje të ekstremit të djathtë “Breitbart News”, materialet e të cilit u konsideruan nga kritikët si raciste.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë kthyer si çështje të tyren emërimin e Trumpit për Prokuror të Përgjithshëm, senatorin e Alabamës Jeff Sessions, emërimi i të cilit në rangjet federale në vitet ’80 u dominua nga akuzat për racizëm. Ndërsa liberalët kanë sulmuar ish-ushtarakun e dalë në pension tashmë, Michael Flynn, këshilltarin në ardhje për Sigurinë Kombëtare, për shkak të komenteve të tij në të kaluarën ndaj myslimanëve dhe historitë e shpërndarjes prej tij të teorive false konspirative.

Trump është kritikuar gjithashtu për përzgjedhjen e miliarderëve dhe milionerëve, siç është Betsy DeVos, për të udhëhequr Departamentin e Edukimit; si dhe Steven Mnuchin, një veteran i “Goldman Sachs”, në postin e kreut të Thesarit. Ben Carson, gjithashtu, i cili është përzgjedhur në postin e Sekretarit për Strehimin dhe Zhvillimin Urban, përballet me akuzën e të qenit “i pakualifikuar” për të shërbyer në këtë post.

E megjithëse miratimit tejet të ulët të ekipit të tij tranzitor deri më tani, “Pew Research” tregon se publiku duket më optimist mbi presidencën e Trumpit, se ç’ka qenë në muajin tetor, kur 57% e të anketuarve menduan se ai do të ishte i mjerë dhe i tmerrshëm në këtë detyrë. Kjo përqindje tashmë është ulur në 38%, ndërsa 35% e të pyeturve thonë se ai do të jetë i mirë apo shumë i mirë, ndërkohë që 18% e tyre presin që ai të bëjë një punë “mesatare”.

Sondazhi mori në pyetje 1.502 të rritur, përmes intervistave të zhvilluara përmes telefonave fiks dhe atyre celularë, në gjuhët anglisht e spanjisht.

Top Channel